Nuk është epokë e gjigandëve, por gjithsesi nëse fiton këtu je i madh. Xhiro e Italisë është gara e dytë më e vështirë e çiklizmit në botë pas Turit të Francës, dhe ngjitjet në Apenine dhe në Alpe janë nga më sfilitëset që mund të provojë një sportist. Kampionati italian i dyrrotakeve po zhvillon edicionin e 104-ët, në vazhdim të një historie të madhe, edhe pse vetë çiklizmi po kalon një krizë për emra, ndërsa Turi i Francës merr ajkën e sportit. Favoritët janë kolumbiani Egan Bernal fitues i Turit në 2019, dhe britaniku Sajmën Jejts.
Etapa e radhës ishte në lartësitë e Alpeve, në Trentino, duke mbërritur për herë të parë në majën Sega di Ala. Plot 193 km me dy malore të forta, me shkëputje të disa çiklistëve, dhe me panoramën e shkëlqyer alpine të fiksuar në kamerat shoqëruese të Xhiros, një shërbim për turizmin, biznes i vërtetë ashtu si edhe në Turin e Francës. Si shpesh në këtë sport, edhe rrëzime massive me pasoja materiale, por edhe lëndime njerëzore, që lenë shenjë në klasifikimet përfundimtare. Në 10 km e fundit shkëputja vendimtare ishte ajo e irlandezit Daniel Martin.
Në garën për Bluzën Rozë, Bernal pati ditën e parë të vështirë në këtë edicion, ndonëse rivalët nuk arritën ta zbrisnin nga kryesimi. Në fund ishte festë pikërisht për irlandezin Martin, i cili fitoi etapën e parë të Xhiros në karrierë, ndërsa Jejts rihapi garën për titullin, duke u ngjitur në podium, e duke marrë 1 minutë nga kolumbiani. Bernal kryeson Xhiron me 2’21” epërsi ndaj italianit Damiano Karuzo, e Jejts nuk është larg, afërsisht 3 minuta e gjysmë. Kjo është java e fundit e garës së madhe italiane, që do të vendoset në dy garat e fundit malore, si dhe të shtunën në kronometrin individual në Milano.
Sfidanti.al