Historia nisi me vendimin e organizatorëve për të përjashtuar tenistët rusë dhe bjellorusë pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Shoqata Ndërkombëtare e Tenisit për meshkuj (ATP) u përgjigj duke hequr pikët për lojtarët pjesëmarrës këtë vit në Uimbëlldon. Më pas u arrit një gjysmë kompromisi sepse ATP-ja pranoi që tenistët të merrnin gjysmën e pikëve, ndërsa ka pasur kritika ndaj organizatorëve të Uimbëlldonit për vendimin e tyre. Tenistët kryesorë si Novak Gjokoviç apo Rafael Nadal deklaruan se përjashtimi i rusëve dhe bjellorusëve ishte një gabim. Tashmë, në Uimbëlldon po mendojnë për “t’i marrë me të mirë sportistët” duke u ofruar më shumë shpërblim sesa më parë. Sasia totale shpërblimeve do të jetë 40.35 milionë paundë stërlina, me fituesit që do të marrin 2 milionë paundë stërlina secili. Madje, edhe ata që do të eliminohen që në raundin e parë, do të fusin në xhep 50 000 paundë. Shpërblimet janë 11.1 për qind më lart se vjet, dhe 5.4 për qind më lart se në 2019 që ishte viti i fundit para pandemisë, me kapacitet të plotë të tifozëve.
Sfidanti.al