U desh një kosh në fund nga Holidei që të festohej për fitoren, dhe ishte vërtet një e papritur. Majemi Hit po fitonte në fushën e kampionëve të Miluokit, veçse një shpërthim në minutat e fundit dhe koshi vendimtar bënë që rezultati të ishte 120-119 për vendasit. Majemi kryesoi me 14 pikë epërsi në 6 miuntat e fundit, dhe ishte shumë mirë në gjuajtjet nga largësia, por mentaliteti i kampionëve këtë herë mbizotëroi. Ishte treshja kryesore, Adetokumbo-Midëlton-Holidei që mbajti ekipin në këmbë. Adetokumbo shënoi 28 pikë, kapi 17 topa në tabela e shërbeu 5 asistë, si dhe vodhi 2 topa e bllokoi një gjuajtje. Midëlton pati 26 pikë, ndërsa Holidei shtoi 25 pikë e 11 asistë. Të tjerët bënë më pak, me përjashtim të Bobi Portisit (15 pikë), por Miluoki ia doli. Tek Majemi, Herro erdhi nga stoli për 30 pikë. Në renditjen e Konferencës Lindore, kampionët kanë 38 fitore e 25 humbje duke qenë në vend të 4-ët, Majemi kryeson me 41 fitore e 22 humbje, pra jo shumë larg.
Sfidanti.al