“Unë jam rritur duke ëndërruar këto momente, – tha ai pas ndeshjes, – për t’u përballur me skuadrën më të mirë. i dua këto ndeshje”. Kështu u shpreh Trej Jang pasi shënoi 43 pikë në emër të Atlanta Hoksave për të mundur ekipin më të fortë të NBA-së për momentin, Feniks Sans. Përfundoi 124-115 në Arenën e Atlantës dhe Jang ishte i pandalshëm me koshat e tij, përfshi edhe shumë për tri pikë. Hoksat shënuan 20 tripikësha, dhe 6 prej tyre ishin të Jangut! Ylli i Feniksit, Kris Pol, pohoi se “Trej është pikërisht i tillë, për çdo mbrëmje ai ka dorë të saktë”. Gjithsesi, Atlanta pati edhe lojtarë të tjerë që shënuan si Kollins (19 pikë), Huerter (19), Hanter (13), Galinai (12) apo Bogdanoviç (11). Kjo ishte humbja e 10-të për Feniksin që mbetet skuadra më e mirë në Perëndim dhe në gjithë NBA-në (41-10 bilanci). Buker shënoi 32 pikë për miqtë, Brixhs shtoi 24 dhe Pol 18 pikë e 12 asistë. Atlanta mbetet në vend të 10-të në Lindje.
Sfidanti.al