Tako Fall, gjigandi senegalez që po “pushton” dalë nga dalë NBA-në

Nuk është aspak një yll për momentin, madje as titullar në ekipin e tij. Tako Fall është një “armë” plus për Boston Sëlltiksat këtë sezon në NBA dhe duket se besimi i klubit të madh po shpërblehet. Edhe pse në moshën 25-vjeçare, afrikani ka nisur të përmirësojë cilësitë e tij të lojës dhe të bëhet i rëndësishëm. Në ndeshjen e fundit, atë ndaj Orlandos, gjigandi shënoi 6 pikë dhe kapi 5 topa në tabela ndërsa ishte në fushë diçka më pak se 8 minuta. Një ndeshje më parë, Fall ishte protagonist edhe më i madh sepse Bostonit i munguan 3 titullarë, ndërsa pritet që ai të jetë më mirë gjatë sezonit. Mesatarja e tij e pikëve për ndeshje ende është e ulët, 4 pikë, po ashtu ai ka mesatarisht 4.3 topa në tabela për ndeshje, por ka luajtur shumë pak. Me shtatlartësinë 2.26 metra, nëse arrin të ngrejë edhe pak më lart nivelin e tij, pritet të luajë rol edhe më të rëndësishëm. Nuk duhet të harrojmë se 25-vjeçari ka ardhur vonë në NBA, ky është sezoni i dytë, ndaj nuk është çudi nëse bëhet edhe titullar.

Sfidanti.al