Për të, Majk Tajsoni ka thënë se “ka një damar të çmenduri, ndryshe nuk do të bëhej kampion i botës në boks”. Ky damar, padyshim nuk i mungon Tajson Fjurit, madje është një çmenduri deri edhe artistike po të shikosh sesi i realizon shfaqjet para e pas ndeshjeve, e pikërisht kjo gjë e ka ndihmuar që në një vit të kalojë të ardhurat e atij që ishte beniamini i epokës në peshat e rënda, Entoni Xhoshuas. Të dhënat flasin se Xhoshua ka fituar në 2020 38 milionë paundë stërlina, rreth 46 milionë euro, duke qenë në vendin e 19-të të renditjes botërore të revistës “Forbs”. Vjet Xhoshua kishte 44 milionë paundë fitime. Sa për Fjurin, ai këtë vit arriti në 46 milionë paundë, që do të thotë rreth 55 milionë euro, duke qenë në vend të 11-të në “Forbs”, kurse vitin e kaluar dhe për 4 vjet radhazi, të dhënat për të ardhurat e tij ishin të padisponueshme.
Sfidanti.al