Spektakli i NBA-së, Mekkallëm mund Hardenin në duelin e “Mister 44 pikëve”!

Pasojave të epidemisë nuk i shpëton dot. E ndjeu fort Hjustoni në ndeshjen e tij të parë të sezonit në NBA, humbur për vetëm 2 pikë në fushën e Portlendit, 126-128. Pasi ylli i madh, Rasëll Uestbruk, u largua për tek Uashingtoni, skuadra nga Teksasi u godit nga koronavirusi dhe pati në dispozicion vetëm 9 basketbollistë. Me gjasë, prandaj edhe nuk ia doli, ndërsa kundërshtari ishte i plotë. Dy protagonistë ishin mbi të gjithë, SiXhej Mekkallëm i vendasve dhe Xhejms Harden i miqve. Që të dy shënuan nga 44 pikë, duke treguar formë të jashtëzakonshme.

Harden, i mbiquajtur “Mjekra” mori për dore ekipin e tij të sakatuar duke luftuar thuajse i vetëm e duke dhënë 17 asistë, si dhe duke pasur 4 topa në tabela. Ai u bë i pari lojtar në historinë e NBA-së që shënon mbi 40 pikë dhe jep mbi 15 asistë në ndeshjen e parë të sezonit. Kjo, edhe pse Hardeni po kalon probleme me klubin për shkak se dëshiron të largohet.

Mekkallëm, ndërkaq, doli mbi njeriun kryesor të Portlendit, Damien Lilardit. Shënoi 44 pikë, kapi 3 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë. Lilard ia dha një ndihmë gjithsesi me 32 pikë, 5 topa në tabela e 9 asistë, ndërsa për Hjustonin shkëlqeu edhe Kristian Ud me 31 pikë e 13 topa në tabela. Portlendi ka një fitore e një humbje, ndërsa Hjustoni sapo luajti ndeshjen e parë.

Sfidanti.al