Spektakël më 28 tetor: Xhoshua do të mbrojë titullin kundër bullgarit Pulev

Entoni Xhoshua që mban titujt e kampionit të botës në WBA dhe IBF në kategorinë e tij, do t’i mbrojë këta tituj në ndeshjen me sfidantin Kubrat Pulev nga Bullgaria. Kjo ndeshje do të zhvillohet, më 28 tetor, në Kardif të Uellsit në stadiumin “Prinsipaliti”. Pritej që Xhoshua të zhvillonte ndeshjen revansh me boksierin ukrainas Vladimir Kliçko, por, ky i fundit, tanimë, ka njoftuar largimin e tij përfundimtar nga ringu, kështu që zgjedhja ra mbi bokserin bullgar.

Pulevi që në 26 ndeshjet e zhvilluara, ka arritur 25 fitore dhe ka pësuar vetëm një humbje, vuri në dukje, me rastin e njoftimit të datës së ndeshjes së lartpërmendur, se atij i përgjigjet mënyra e boksit të Xhoshuas. “Unë e di se Xhoshua është një boksier luftëtar i rrezikshëm dhe se ai nuk dorëzohet lehtë, por mënyra sesi ai bokson, mua më përgjigjet shumë. Ne nuk do të përqafohemi, por do të bëjmë boks. E di se do të jetë një dyluftim i fortë, por besoj se në fund do të jem unë ai që do të fitoj”, vuri në dukje Pulevi. Xhoshua, nga ana e tij, tregohet më modest, duke deklaruar se ai është i gëzuar se do të ngjitet përsëri në ring dhe se do të ketë mundësinë që ta argëtojë publikun në Kardif. “Për mua, rëndësi ka atmosfera. Unë dua një ndeshje, në të cilën të ndjehet se publiku po argëtohet si në një spektakël”, deklaroi boksieri britanik.

Sfidanti.al