Siner dhe Sabalenka prezantojnë trofetë

Aryna Sabalenka dhe Jannik Sinner, kanë prezantuar trofetë e fituar një vit më parë në Australian Open. Norman Brookes Challenge Cup, quhet kupa e fituar nga djemtë, dhe mban emrin e të ndjerit Sir Norman Brookes, ish-kampion australian në tenis. Për herë të parë ky trofe iu dha Fred Perry, në 1934. Ndërsa trofeu i vajzave quhet Daphne Akhurst dhe mban emrin e 5 herë kampiones me të njëjtin emër. Për herë të parë iua dha Joan Hartigan në 1934. Çdo vit, partneri dhe prodhuesi Zyrtar i Trofeve të Australian Open, i prodhon në mënyrë artizanale, me punim dore, të dy trofetë, që përbëhen nga 100% argjend. Kompleti përfshin edhe kopjet e lakmuara të trofeve, të cilat kampionët për djem e vajza i marrin në shtëpi. Përpara nisjes së Australian open 2025, Sabalenka dhe Sinneri janë pyetur se ku i mbajnë trofetë. “Trofeu im është në shtëpi me mamin e cila po lutet shumë që të fitoj një tjetër. Ne e fitojmë kupën dhe ua japim familjeve” – tha Aryna Sabalenka. Ndërsa Sineri u përgjigj: “Mendoj se trofeu im është te prindërit e mi, por në fakt nuk jam i sigurt. Është e sigurt që nuk është në vendin tim.”

sfidanti.al