Shviontek: Këtë herë të paktën mund ta festoj fitoren në “Rolan Garos”!

Ishte padyshim tepër e emocionuar në prag të finales. Një vajzë 21-vjeçare nuk mund të ndihet ndryshë përballë një sfide kaq të madhe sa përballja për titullin në “Rolan Garos”, dhe Iga Shviontek nuk bëri përjashtim. Tenistja polake bëri përgatitjet e fundit për duelin ndaj adoleshentes amerikane Koko Gauf, e ndërgjegjshme se mund t’ia dilte. Kështu edhe ndodhi. Vajza nga Varshava ia doli në finalen kundër rivales 18-vjeçare, madje duke dominuar plotësisht e duke fituar 2-0 me sete pas vetëm 68 minutave. Rezultati i seteve ishte 6-1 e 6-3. Polonia duket se ka gjetur tek Shvionteku një Robert Levandovski të dytë, por tashmë jo në futboll, por në tenis. “Është diçka e mahnitshme, – pohoi ajo, – është ndryshe nga fitorja këtu në 2020, sepse tani unë ndihem më e pjekur, më gati për atë që mund të ndodhë. Jam më e përgatitur dhe kjo do të më ndihmojë që ta festoj sado pak fitoren, ndryshe nga sa ndodhi dy vjet më parë kur isha shumë e hutuar”.

Sfidanti.al