Ishte një përsëritje e Finales së Madhe të vjetshme, por ishte e tillë që mund të mos e kishte vlerën e vërtetë të një finaleje. Miluoki Baks nuk e pati të lehtë suksesin në shtëpi ndaj Feniks Sansëve, edhe pse këta të fundit ishin pa dy lojtarët më të mirët. Devin Buker dhe Kris Pol munguan, dhe Janis Adetokumbo me të vetët ia dolën në fund 132-122. Më i miri në fitore ishte Kris Midëlton me 44 pikë në më pak se 36 minuta. Ai kapi edhe 8 topa në tabela e shërbeu 5 asistë. Adetokumbo këtë herë ishte “i urtë” me vetëm 19 pikë, edhe pse me 13 topa në tabela e 6 asistë, 1 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh. Nuk dihet se përse kapiteni nuk mori më shumë përsipër në gjuajtje. Holidei nga ana e tij pati 24 pikë dhe 9 asistë e 4 vjedhje topi. Tek Feniksi shkëlqeu Deandre Ejton me 30 pikë e 8 topa në tabela, Pejn me 23 pikë e 8 asistë, Krauder pati 19 pikë e Shamet 17. Miluoki është në vendin e 3-të në Lindje me 40 fitore e 25 humbje, i lënë pas vetëm nga Majemi me 43 fitore e 22 humbje dhe nga Filadelfia që ka 39 fitore e 24 humbje. Feniksi kryeson Perëndimin dhe është skuadra më e mirë në NBA deri tani.
Sfidanti.al