Roger Federer hyn në Hall of Fame, legjenda zvicerane emocionohet në ceremoninë e Newport

Roger Federer është bërë zyrtarisht pjesë e International Tennis Hall of Fame, në një ceremoni emocionuese të zhvilluar në Newport, Rhode Island. Legjenda zvicerane u përfshi në klubin prestigjioz si anëtari i 272-të, në një moment që e cilësoi si një nga nderimet më të mëdha të jetës së tij. Federer, i cili u tërhoq nga tenisi në vitin 2022, e mbylli karrierën me 103 tituj, mes tyre 20 trofe Grand Slam dhe tetë triumfe në Wimbledon.

Në ceremoninë e pranimit, 45-vjeçari falënderoi rivalët, tifozët, familjen dhe miqtë që e shoqëruan gjatë karrierës. “E quajnë Hall of Fame, por fama nuk ka qenë kurrë objektivi im. Objektivi ishte të kaloja jetën duke bërë diçka që e dua”, u shpreh Federer, i cili e pati të vështirë të fshihte emocionet. Momenti i veçantë lidhet edhe me bashkëshorten e tij, Mirka Vavrinec, ish-teniste, e cila ishte ajo që i dha lajmin për përfshirjen në Hall of Fame. Federer e nisi fjalimin me humor, duke kujtuar disa detaje të pazakonta nga karriera e tij. Ai tha se kishte përdorur më shumë se 5 mijë shirita për flokët dhe rreth 7 mijë palë çorape, pasi i vishte nga dy palë gjatë ndeshjeve. Më pas, emocionet morën kontrollin. “E kam shijuar çdo moment të rrugëtimit që më solli deri këtu. Në më shumë se 4 mijë sete të luajtura jam përpjekur gjithmonë të tregoj dashurinë time për tenisin”, tha Federer. “Tenisi është një gjë e bukur dhe komplekse. Për mua ka qenë gjithçka”, përfundoi legjenda zvicerane.