Milani gjen pasardhësin e Rafael Leaos, Hutchinson mbërrin në Milano

Milani ka gjetur pasardhësin e Rafael Leaos në krahun ofensiv, teksa kuqezinjtë kanë mbyllur marrëveshjen me Nottingham Forest për transferimin e Omari Hutchinson. 23-vjeçari ka mbërritur mbrëmjen e së dielës në aeroportin e Linate, në Milano, ndërsa të hënën pritet të kryejë procedurat mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën me klubin italian. Marrëveshja mes Milanit dhe Nottingham Forest është arritur në formën e një huazimi me pagesë prej 4 milionë eurosh, ndërsa kuqezinjtë do të kenë të drejtën e blerjes përfundimtare, e cila mund të shndërrohet në detyrim në varësi të përmbushjes së disa kushteve.

Lëvizja për Hutchinson u përshpejtua pas takimit të zhvilluar të shtunën në Casa Milan, ku ishte i pranishëm edhe pronari i klubit, Jerry Cardinale. Fillimisht, Milani nuk kishte në plan ta blinte menjëherë kartonin e lojtarit, por negociatat morën një tjetër drejtim pasi Nottingham Forest pranoi mundësinë e huazimit. 23-vjeçari anglez me origjinë nga Xhamajka nuk ishte pjesë e skuadrës së Nottingham Forest në ndeshjen ndaj Liverpoolit të shtunën, ndërsa më pas udhëtoi drejt Italisë për të finalizuar transferimin te Milani. Hutchinson shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të Milanit pas largimit të Rafael Leaos drejt Galatasaray-t, me lojtarin ofensiv që pritet të sjellë shpejtësi, teknikë dhe kreativitet në fazën sulmuese të skuadrës kuqezi.