Ricky Hatton gjendet i pajetë në shtëpinë e tij

Boksieri i njohur britanik dhe ish-kampioni i botës, Ricky Hatton, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare, sipas raportimeve të mediave britanike.

I njohur me nofkën “The Hitman”, Hatton u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Manchester mëngjesin e sotëm.

Policia konfirmoi se trupi i një burri 46-vjeçar u gjet në orët e para të mëngjesit në Bowlacre Road, Hyde, Tameside.

“Aktualisht nuk besohet të ketë ndonjë rrethanë të dyshimtë,” tha një zëdhënës i policisë për CNN, duke shtuar se identiteti i të ndjerit nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Hatton, ishte një nga figurat më të dashura të boksit britanik.

Ai fitoi tituj botërorë në kategoritë e peshave të lehta, duke u përballur me emra të mëdhenj si Floyd Mayweather Jr., Manny Pacquiao dhe Kostya Tszyu.

Deri në humbjen e tij të parë ndaj Mayweather në vitin 2007, Hatton mbante një rekord të jashtëzakonshëm prej 43 fitoresh pa asnjë humbje.

Ai u tërhoq nga boksi në vitin 2012 me një bilanc prej 45 fitoresh (32 me nokaut) dhe vetëm tre humbjesh.

Në vitet e fundit, Hatton foli hapur për betejat e tij me alkoolin, drogën dhe depresionin.

Pavarësisht sfidave personale, ai kishte planifikuar një rikthim në ring në dhjetor, në një ndeshje kundër Eisa Al Dah në Dubai.

Lajmi i vdekjes së Ricky Hatton ka shkaktuar reagime emocionale në rrjetet sociale dhe në mbarë komunitetin sportiv.

“RIP Hitman,” – kanë shkruar fansat në rrjet, duke e përshkruar atë si “një ikonë të boksit britanik dhe një nga karakteret më të dashura të sportit”.

Edhe figura të njohura të mediave kanë reaguar.

Piers Morgan shkroi në X: “RIP Ricky ‘The Hitman’ Hatton, 46 vjeç. U gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Manchester. Policia thotë se nuk ka rrethana të dyshimta. Një lajm jashtëzakonisht i trishtuar.”

Tyson Fury shkroi: “Do të ketë vetëm një Ricky Hatton.

Chris Eubank Jr. tha: “U prehtë në paqe z. Ricky Hatton.

Ndërsa ish-futbollisti Michael Owen u shpreh: “U prehtë në paqe Ricky Hatton. Çfarë djali. Dhe çfarë luftëtari. Lajm tepër i trishtueshëm.”

Hatton lë pas tre fëmijë – Millie, Fearne dhe Campbell – si dhe një mbesë, Lyla.


sfidanti.al