Red Bull me strategji më të mirë, Verstapen niset i pari në Abu Dabi

Gjithçka dukej se ishte në favor të Mercedesit dhe Ljuis Hamiltonit dhe gjatë pjesës më të parë të provave zyrtare, gjermanët dhe anglezi ishin në vend të parë. Gjithsesi, në fund, Red Bulli ndryshoi strategjinë, vendosi gomat e buta për Maks Verstapenin, bëri disa ndryshime në pjesën e mbrapme të makinës dhe po ashtu vendosi që Sergio Perez të ndihmonte shokun e ekipit. Piloti meksikan i hapi rrugën holandezit duke e ndihmuar në një xhiro të paarritshme për Hamiltonin. Në fund, Verstapeni fitoi “pole position”-in me 371 të mijtat mbi anglezin. “Jemi në vend të parë dhe me goma të buta, – tha Verstapeni, – kemi shanse për fitoren, falenderoj gjithë ekipin për vendin e parë”. “Xhiroja e Verstapenit ishte e paarritshme, – pranoi kampioni i botës, – gjithsesi, kam shanse në garë. Mendoj se gomat me shirit të verdhë janë më të mira”.

Sfidanti.al