Rafael Nadal tërhiqet nga një turne tjetër

Rafael Nadal është në një periudhë shumë delikate të karrierës me tenistin spanjoll që deklaroi së fundmi se nuk mund të marrë pjesë në turneun e Monte-Carlos që zhvillohet nga data shtatë deri më 14 prill. 37-vjeçari, theksoi se trupi nuk e lejon të marrë pjesë në turne ndërsa shtoi se për të është shumë e vështirë të mos ketë mundësinë të luajë. “Përshëndetje të gjithëve, këto janë shumë kohë të vështira për mua sa i takon aspektit sportiv. Për fat të keq më duhet t’ju lajmëroj se nuk do të marrë pjesë në Monte-Carlo, trupi im nuk më lejon të luajë. Edhe pse po punoj shumë dhe po bëj të pamundurën për të luajtur dhe të konkurroj në nivele të larta, e vërteta është se për momentin nuk mund të luaj. Nuk e keni idenë se sa e vështirë është kjo për mua. Por, e vetmja gjë që mund të bëj është të pranoj realitetin dhe të shoh me entuziazëm nga e ardhmja, me dëshirën se gjërat mund të përmirësohen. Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen”, shkruan Nadal në rrjetet sociale.

sfidanti.al