Më datë 22 prill 2026, u zhvillua në Gjeorgji Kampionati Europian i Peshëngritjes, ku sportisti shqiptar Erkand Qerimaj konkuroi në kategorinë 79 kg. Ai realizoi provat në shkëputje 152 kg, tentoi rekord europian 157 kg, dhe në shtytje me 184 kg.
Kur realizoi provën, gjyqtarja dha 3 kartona të bardhë, por më pas çuditërisht juria e anuloi provën duke e quajtur të pavlefshme dhe duke i mohuar peshëngritësit tonë një medalje argjendi. Sipas jurisë, ka patur një lëkundje në momentin që shtanga ka qënë në gjoks, por Qerimaj thotë për gazetarin Freard Rista, se të tilla faulle taktike bëhen nga shumica e peshëngritësve dhe prova konsiderohet e kaluar.
“Zhgënjimi është që t’i punon gjithë vitin dhe më pas e realizon provën, edhe ta jep gjyqtaria 3 të bardha, edhe pastaj ta heq juria. Mua si sportist më është hequr mundësia e medaljes, më është hequr mundësia e shpërblimit që shkon rreth 30 milionë lekë të vjetra. Plus edhe Shqipërisë i është hequr mundësia e medaljes në një kampionat europian, që nuk është gjë e vogël. Aty konsiston gjithë historia e sportistave dhe gjithë puna e sportistëve shqiptarë, për të marrë medalje në europian dhe botërorë, në aktivitete të rëndësishme”, shprehet ai.
E njëjta situatë sportistit Qerimaj i ka ndodhur edhe në lojërat mesdhetare në Algjeri, por atje gjithçka mori një tjetër rrjedhë, sepse institucioni, duke filluar nga Federata bashkë me stafin, e protestuan atë vendim dhe vendimi u rishikua, duke i kthyer medaljen sportistit tonë.
“Përfaqësuesit e vendit tim, ata që drejtojnë Federatën, nuk patën asnjë reagim. Nëse do kishte reagim nga institucioni bashkë me trajnerat unë mendoj që edhe mund të ishte kthyer. Kur ndodh një padrejtësi institucioni duhet të reagojë sepse ne nuk shkojmë personalisht, përfaqësojmë shtetin, përfaqësojmë flamurin dhe të mos ketë asnjë lloj reagimi, kjo është e turpshme!”, deklaron sportisti Qerimaj, duke akuzuar drejtpërdrejt dhe presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.
“Ai ishte prezent në nxemje, dhe në momentin që më ndodhi mua kjo padrejtësi, nuk ka patur asnjë reagim nga ai”.
Në një ballafaqim që gazetari Freard Rista pati me.Elez Gjoza, ky i fundit deklaroi se nuk është në dorën e tij për të protestuar, duke harruar që në vitin 2022 ishte pjesë e protestës bashkë me stafin, në mbrojtje të sportistit Qerimaj. Kur gazetari i tregoi videon e këtij momenti deçiziv, z.Gjoza tha: “Lajthita atëherë, tani kam reflektuar”.
Lidhur me këtë episod, Kreu i Komitetit Olimpik, z.Fidel Ylli, dërgoi komentin e tij.
“Unë nuk jam peshëngritës, por e njoh mirë peshëngritjen. Ajo provë e realizuar nga kampioni Erkand Qerimaj për mua personalisht është provë e pastër 100% dhe këtë gjë e ka konfirmuar edhe gjyqtaria e garës me tre aprovime. Një moment i tillë na ka ndodhur edhe një herë me Erkandin në Lojërat Mesdhetare të zhvilluara në vitin 2022 në Algjeri dhe ne të gjithë u ngritëm nga vendi si staf duke protestuar dhe gjyqtaria e riktheu dhe e aprovoi stilin në shkëputje të Erkandit dhe mori medaljen e argjendit. Në qoftëse kjo nuk do anulohej, ishte provë që Erkandi do të merrte medalje europiane. Është shumë e rëndë t’i hidhet djersa, mundi, sakrifica, sportistit, pa qëllim, apo më e keqja, me qëllim”, u shpreh ai.
Si për paradoks, Qerimaj ka patur mbështetje dhe nga vetë ekipet rivale.
“Kam patur shumë reagime nga ekipi gjerman, Italian, ekipi kroat, dhe kjo në një farë mënyrë të qetëson pasi edhe kur të tjerët e kuptojnë padrejtësinë, solidarizohen me ty, të paktën e kupton që është vendim i padrejtë. ‘Ajo provë është 100% e realizuar dhe është një skandal kjo për Europianin, që të hiqet ajo medalje’. Ky ka qënë diskutimi i shteteve të huaja që fundja ata nuk kanë ndonjë interes që të marrë unë dhe Shqipëria medalje”, tregon ai.
Gjatë intervistës për emisionin “Piranjat”, peshëngritësi Erkand Qerimaj ngriti edhe shqetësime të tjera siç janë mungesa e doktorit apo fizioterapistit.
“Sportisti duhet të ketë suportin e institucionit, duhet të ketë fizioterapist, duhet të ketë doktor. Nuk e kemi as në stërvitje, as në grumbullim as në garë. Konsultat shkoj në mënyrë private, i paguaj nga xhepi. Nuk na ofrohet, duhet të na ofrohet”.
Lidhur me këtë shqetësim, Presidenti i FSHP, Elez Gjoza, tha se ka mungesë fondesh dhe se duhet që Ministria e Sportit dhe Bashkia të alokojë më shumë fonde.

