Fitorja e Tadej Pogaçar në Xhiron e Italisë ishte mbresëlënëse. Çiklisti slloven e mbylli garën në mënyrën më të mirë të mundshme, me podiumin me Koloseun në sfond. Një bukuri e tillë që nuk ka të njëjtë në botë, e që e zbeh edhe Parisin me Harkun e tij të Triumfit. Një ceremoni çmimesh që kulmoi në fund të Xhiros së Italisë. Por e gjithë kjo do të kishte humbur vlerën sportive nëse nuk do të ishte “Princi i Vogël Slloven” ai që ngriti trofeun. Gjithmonë është thënë se janë çiklistët ata që i bëjnë garat të shkëlqyera, e Xhiro 107-të e Italisë e demonstroi këtë në shkallën superiore. Tadej e ka rishkruar historinë në ngjyrë rozë, duke shtuar në historikun e vet, kapituj bindës, duke na dhënë emocione në çdo pedalim, jo vetëm tifozëve që mbushnin rrugët e Italisë ku kalonte grupi i çiklistëve, por edhe për të gjithë sportdashësit që e ndoqën këtë edicion të Xhiros së Italisë nga televizori. Çiklisti slloven triumfoi me lehtësi, duke krijuar një epërsi të thellë, prej më shumë se 9 minutash, me dy çiklistët e tjerë që u ngjitën në podium, Martinez dhe Thomas. Pogaçar ishte aq superior sa menaxhoi forcat e tij, duke kursyer energji për sulmin final dhe t’u kthyer në legjendë, pasi synimi i tij tashmë është Tur de Francë. Nga mëngjesi i sotëm Tadej përgatitet për garën franceze. Por një gjë është e sigurtë, falë Xhiros së Italisë, Pogaçar mund të kthehet në legjendë, ndërsa Xhiro falë Pogaçarit u rikthye sërish në qendër të vëmendjes.
sfidanti.al