Peshëngritje, Briken Calja: Federata të garantojë rregullat

Me anë të një deklarate publike, Briken Calja i kërkon Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, që të garantohen disa kushte në Kupën e Republikës në garën për peshën 79 kg. Peshëngritësi i njohur liston disa kritere dhe kërkon nga Federata që të garantojë rregullat e lojës. Më poshtë deklarata e plotë.

“Deklaratë Publike

Drejtuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes

Si kampion dhe përfaqësues i peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, kërkoj zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes që, në Kupën e Republikës (79 kg), të garantohet:

● Matja e peshës trupore në prani të një komisioni transparent, me përfaqësues nga të tre palët e sportistëve.

● Përcaktimi i fituesit vetëm mbi bazën e rezultatit real në platformë, aty ku flasin forca, teknika dhe sakrifica.

● Kryerja e testit antidoping për të gjithë pjesëmarrësit, sipas standardeve ndërkombëtare.

● Zhvillimi i garës në ambientet e pallatit të sportit, për shkak të rëndësisë së këtij kampionati dhe nevojës për kushte profesionale.

● Ftesë për median dhe publikun që të jenë pjesë e kësaj gare, në datën 6 shtator, një ditë që premton të sjellë emocionin dhe rivalitetin më të bukur që peshëngritja shqiptare ka parë në 20 vitet e fundit.

Kjo nuk është thjesht një kërkesë formale.

Kjo është një ftesë e hapur: Federata të garantojë rregullat, sportistët të japin maksimumin dhe publiku të jetë dëshmitar i një gare të ndershme, ku fiton vetëm më i miri.

Le ta bëjmë këtë kompeticion shembullin e peshëngritjes shqiptare një ditë që do të kujtohet për forcën, pasionin dhe respektin për sportin. Briken Calja”, shkruan peshëngritësi i njohur.

sfidanti.al