Përse Mekgregori nisi sërish të provokojë Nurmagomedovin?!

Kush nuk e mban mend sesi ishte pragndeshja e tyre, me ofendime, ironi, tallje nga ana e kampioni të asaj kohe ndaj sfidantit numër 1. Konor Mekgregori nuk u kursye aspak ndaj Habib Nurmagomedovit, i cili u tregua shumë më i përmbajtur. Në përfundim, luftëtari nga Dagestani, me nënshtetësi ruse, arriti të fitonte bindshëm duke e detyruar irlandezin që të dorëzohej, ndërsa në përfundim pati një sherr të tmerrshëm.

Sot, pasi ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, Mekgregor po kthehet në UFC, ai do të ndeshet me Donald Serronen (Cerrone), por mendjen e ka tek Habibi, duke nisur sërish me të vjetrat. “Ai po dridhet (prej meje), – ishin fjalët e tij, – ai njeri po dridhet. Ai nuk e dëshiron një ndeshje tjetër. Kjo kuptohet shumë lehtë, dhe ai po përpiqet që t’i shmanget humbjes. Kjo është e gjitha, pra që ai ka frikë”.

Mekgregori nuk shpjegoi sesi e kupton ai që Nurmagomedovi ka frikë dhe përse kjo duhet të jetë kështu, veçse duket shumë i sigurt për mënyrën sesi i thotë fjalët. Mekgregori përfundoi duke thënë se “gjithkush e do këtë ndeshje, e dua unë, e do presidenti (i UFC-së, Dejni Uajt), ndërsa ai mund të vrapojë, por nuk mund të fshihet”. Nurmagomedov është kampion i peshave të lehta në UFC me 28 fitore dhe asnjë humbje.

Sfidanti.al