Pa Kanadanë e Australinë “hidhen në erë” Lojrat Olimpike të 11 000 atletëve!

Gjithçka u duk sikur do të ishte si më parë. Kur flaka olimpike iu dorëzua organizatorëve japonezë në stadiumin e vjetër “Panathinaikos” të Athinës, u mendua se koronavirusi nuk do ta pengonte dot ngjarjen më të madhe sportive të botës. Ka kaluar rreth një javë, dhe situata duket e përmbysur. Fillimisht, Kanadaja, dhe pastaj edhe Australia, deklaruan zyrtarisht se nuk mund të merrnin pjesë në Lojrat Olimpike nëse ato do të zhvilloheshin sipas planit, këtë verë në Tokio.

“Komitet Olimpik Kanadez dhe Komiteti Paraolimpik Kanadez, të mbështetur nga qeveria e Kanadasë, kanë marrë vendimin e vështirë për të mos dërguar skuadrën kombëtare në Lojrat Olimpike dhe Paraolimpike të kësaj vere, – shkruhet në deklaratë, – asgjë nuk është më e rëndësishme sesa shëndeti dhe siguria”. Kanadezët, ndërkaq, theksuan se “jemi në një pozicion të tillë që nuk mund të kemi siguri për të grumbulluar ekipin për në Olimpiadë, dhe planifikojmë që Lojrat të shtyhen”.

Vendimi i Komiteteve Olimpikë kombëtarë të dy prej vendeve më të shquar olimpikë është pak të thuhet se e rrezikon tërësisht zhvillimin e Lojrave në 2020. Këto deklarata erdhën pasi vetë kryeministri japonez, Abe, dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pohuan se mund të ketë shtyrje, ndërsa u këkuan 4 javë kohë për të marrë një vendim.

Me gjasë, shtyrja mund të jetë për verën e vitit tjetër, ashtu siç ndodhi me Kampionatin Europian të futbollit dhe me Kupën e Kombeve të Amerikës së Jugut. Sipas planit, Lojrat e 32-ta Olimpike moderne, duhet të mbahen nga 24 korriku deri në 9 gusht të këtij viti, dhe parashikohet të marrin pjesë mbi 11 000 atletë nga 204 shtete.

Sfidanti.al