Fituesi ka gjithmonë të drejtë. Mbetet kështu edhe kur nuk flet siç duhet, ndonëse nuk mund ta vlerësojmë saktësisht nëse fjalët e Amanda Nunjesit qëllojnë apo jo në shenjë. Kampionia e botës në artet e përziera marciale, MMA, sulmoi rivalen e saj të ndeshjes së fundit, ish-kampionen Ronda Rusei, duke thënë se ajo është e mbivlerësuar. “Ndeshja ime ndaj Majesha Tejtit ishte më e vështirë sesa jo ndaj Ronda Ruseit, – tha braziliania, – është e sigurt se Ronda është krijesë e organizatorëve të kampionatit botëror UFC, ata e vendosën në një pozicion që nuk ishte i saji”.
Nunjes shtoi se nuk kishte pasur dyshime për fitoren. “U binda se do të fitoja ndaj Ronda Ruseit që kur pashë për herë të parë një ndeshje të sajën, – u shpreh ajo, – por, kuptohet duhej të vinte dita e duhur që unë t’ua provoja të gjithëve se mund t’ia dilja. Nuk e kuptoj sesi Ronda Rusei eci kaq shumë në këtë kampionat, nuk e kuptoj sesi rivalet pësuan humbje nga ajo”. Nunjes fitoi për vetëm 48 sekonda duke e hedhur nokdaun amerikanen nga Kalifornia, që tani mund ta lerë sportin.
Sfidanti.al