Maqedonia e fitoi edhe ndeshjen e dytë të Evropianit të hendbollit, kësaj radhe me Malin e Zi, me rezultatin e ngushtë 29-28, duke avancuar, kështu, drejt fazës së dytë të kampionatit evropian që po zhvillohet, këto ditë, në Kroaci. Edhe ndeshjen e parë, Maqedonia që dallohet për hendbollin e saj të meshkujve dhe të femrave, e fitoi me rezultatin ngushtë 25-24 ndaj Sllovenisë që, në Evropianin e fundit, zuri vendin e 3-të.
Sidoqoftë, pavarësisht nga rezultati i ngushtë, loja që treguan hendbollistët maqedonas në pallatin e sportit të Zagrebit, ishte më bindëse sesa ajo e atyre malazezë, kështu që Maqedonia me katër pikë maksimale në dy ndeshje ndodhet në vend të parë të grupit C.
Të zgjedhurit e trajnerit Raul Gonzales, me në krye hendbollistin shumëvjeçar më të mirë maqedonas, Kire Lazarov, siguruan pjesëmarrjen në fazën tjetër të kampionatit evropian. Në kuadrin e grupit C, Gjermania barazoi 25-25 me Slloveninë. Maqedonia ka edhe një ndeshje grupi me Gjermaninë.
Sfidanti.al