Nelson Hysa i shpall luftë Agit Kabayeli-t

Nelson Hysa kërkon përballjen e madhe për titullin botëror në peshat e rënda. Pas nokautit spektakolar ndaj norvegjezit Thomas Narmo, boksieri shqiptar nuk ka humbur kohë dhe ka sfiduar publikisht kampionin gjerman të WBC-së, Agit Kabayel. Hysa e mbylli përballjen e fundit brenda pak sekondash, duke regjistruar një tjetër fitore bindëse në ring, ndërsa menjëherë pas duelit pati një përballje kokë më kokë me Kabayel dhe nuk ngurroi të përdorte tone të forta ndaj tij.

“A ke frikë nga unë? Pse po largohesh? Unë vij në Gjermani, në shtëpinë tënde, për të të mposhtur. Eja të luftojmë, do të të nokautoj. Mos ki frikë. Respekt për ty, lufto me mua, vëlla. Mos ik”, i tha Hysa kampionit gjerman. Por sfida nuk mbeti vetëm në ring, pasi Hysa e vazhdoi betejën edhe në rrjetet sociale, ku i bëri thirrje Kabayel-it të pranojë një duel për titullin botëror WBC në peshat e rënda. “Pranoje sfidën time, Agit. Po vij në Gjermani për të marrë atë që është jotja dhe për t’u bërë kampioni i ri botëror i WBC-së në peshat e rënda. Do ta mbush stadiumin me shqiptarë dhe do t’i tregoj botës pse jam peshë e rëndë i frikshëm. Gjermani, a je gati?”, shkroi boksieri shqiptar. Tashmë topi është në fushën e Kabayel-it. Një përballje mes dy boksierëve do të ishte një duel me interes të madh, ndërsa Hysa e ka bërë të qartë se është gati të udhëtojë në Gjermani për të kërkuar titullin botëror.