Pierre-Emerick Aubameyang ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Gabonit. Sulmuesi 37-vjeçar, kapiten dhe një prej figurave më të rëndësishme në historinë e përfaqësueses, njoftoi tërheqjen përfundimtare pas polemikave të krijuara gjatë Kupës së Kombeve të Afrikës 2025. Në një intervistë për “Canal+”, Aubameyang nuk e fshehu zhgënjimin për mënyrën se si u trajtua pas eliminimit të Gabonit nga faza e grupeve, ku skuadra humbi të tria ndeshjet. “Më poshtëruan dhe më njollosën, ndërkohë që unë madje luajta në Kupën e Afrikës i dëmtuar”, deklaroi sulmuesi.
“Kjo ishte pika që mbushi kupën dhe preferoj të ndalem këtu”, shtoi ai, duke konfirmuar kështu largimin nga Kombëtarja. Pas paraqitjes së dobët në turne, autoritetet gaboneze reaguan ashpër. Presidenti i vendit, Brice Clotaire Oligui Nguema, deklaroi se “një pjesë e identitetit kombëtar ishte dobësuar”, ndërsa qeveria shpërndau stafin teknik, pezulloi përkohësisht aktivitetin e Kombëtares dhe largoi nga grupi veteranët Aubameyang dhe Bruno Manga. Sulmuesi e kishte kundërshtuar më herët përgjegjësinë për krizën e skuadrës, duke theksuar se problemet ishin shumë më të thella. “Mendoj se problemet e ekipit janë shumë më të mëdha se personi im”, kishte deklaruar ai.
Ndërkohë, Aubameyang ka nisur një kapitull të ri në karrierën e klubeve. Pas largimit nga Marseille, ai iu bashkua Deportivo La Coruna-s, e cila është rikthyer në LaLiga. Në tri ndeshjet e para në kampionatin spanjoll, sulmuesi ka shënuar tre gola. Tashmë, pa kapitenin dhe yllin e saj historik, Gaboni do të duhet të përgatitet për eliminatoret e ardhshme të Kupës së Kombeve të Afrikës. Pas mungesës në Botërorin 2026, objektivi kryesor është kualifikimi për edicionin e vitit 2027, që do të zhvillohet në Kenia, Tanzani dhe Ugandë.

