Scott McTominay ka folur për gjendjen e tij shëndetësore dhe të ardhmen te Napoli, duke qetësuar tifozët përpara ndërhyrjes në zemër që do ta detyrojë të qëndrojë jashtë fushave për disa javë. Mesfushori skocez, i pranishëm në “Gran Galà del Calcio” në Milano, sqaroi se ndërhyrja nuk ishte një situatë e papritur, por një procedurë e planifikuar prej kohësh në bashkëpunim me klubin. “Jam mirë. Ndërhyrja në zemër ishte diçka që e kishim planifikuar prej kohësh me klubin. Kishim folur për të që në fazën përgatitore dhe do të qëndroj jashtë për disa javë”, deklaroi McTominay.
Skocezi foli edhe për ndryshimin në pankinën e Napolit dhe marrëdhënien me trajnerin e ri, Massimiliano Allegri. Pavarësisht ndryshimit të stafit teknik, ai theksoi se objektivi i skuadrës mbetet i njëjtë. “Kemi një trajner të ri, por mentaliteti është gjithmonë i njëjtë: të përpiqemi të fitojmë. Allegri është një trajner i madh, që ka fituar shumë gjatë karrierës së tij. Ndihem mirë me të”, u shpreh ai.
Ndërkohë, McTominay u pyet edhe për mundësinë e rinovimit të kontratës me Napolin, por preferoi të mos japë një përgjigje konkrete. Futbollisti pranoi se aktualisht nuk ka pasur kontakte të reja mes palëve për një marrëveshje të re. “Nuk e di. Nuk ka pasur bisedime të reja. Gjëja më e rëndësishme tani është fusha, jo rinovimi. Ende nuk e di se kur, apo nëse do ta rinovoj kontratën me Napolin”, përfundoi McTominay.
Kështu, vëmendja e tij për momentin është te rikuperimi dhe rikthimi sa më shpejt në fushë, ndërsa çështja e së ardhmes kontraktuale me Napolin mbetet për t’u diskutuar në një moment tjetër.

