Atlético Madrid nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim për të ardhmen e Julián Álvarez-it dhe, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm të Barcelonës, klubi madrilen e ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë sulmuesin argjentinas të transferohet në “Camp Nou”. Merkatoja e verës u mbyll pa një lëvizje të Álvarez-it, i cili ishte rikthyer në stërvitje me Atlético-n pas disa ditësh mungesë, ndërsa as transferimi i Gabriel Jesus te Barcelona nuk u dha fund zërave për të ardhmen e argjentinasit. Në Madrid janë të vetëdijshëm se kjo histori mund të rikthehet gjatë sezonit, sidomos nëse Atlético dhe Barcelona përballen në Champions League, Kupën e Mbretit apo Superkupë, madje në klub besojnë se çdo përballje e tillë mund ta tensionojë edhe më shumë marrëdhënien mes dy skuadrave. Mesazhi i Atlético-s mbetet i njëjtë: nëse Barcelona dëshiron Julián Álvarez-in, duhet të paguajë klauzolën e lirimit prej 490 milionë eurosh. Vetë CEO-ja i klubit, Miguel Ángel Gil Marín, ka qenë kategorik në lidhje me këtë çështje.
“Kam më shumë se 30 vite në botën e futbollit. Fjala ime është një nga gjërat e pakta që kam. Për sa kohë që jam unë CEO, ai nuk do të transferohet te Barcelona, me siguri të plotë”, deklaroi Gil Marín. Në “Metropolitano” e shohin këtë qëndrim edhe si një çështje strategjike, pasi Atlético dëshiron të tregojë se nuk është një klub që heq dorë lehtësisht nga yjet e tij. Edhe nëse Álvarez vendos të mos ndryshojë qëndrim dhe Barcelona vazhdon interesimin, drejtuesit madrilenë besojnë se kanë precedentë që tregojnë se mund ta përballojnë situatën. Rasti i Thomas Lemar, një prej blerjeve më të shtrenjta në historinë e klubit, si dhe situatat e Saúl dhe Vitolo, shihen si shembuj se Atlético mund të mbajë një lojtar me kosto të lartë edhe nëse ai nuk është gjithmonë protagonist. Pra, qoftë në janar, qoftë verën e ardhshme, mesazhi i Atlético-s për Barcelonën mbetet i pandryshuar: Julián Álvarez nuk është në shitje.

