Robert Lewandowski ka bërë një deklaratë që mund të shkaktojë bujë në Spanjë, duke pranuar se Real Madridi është forcuar ndjeshëm me Jose Mourinhon në stol. Ish-sulmuesi i Barcelonës, që tashmë luan për Chicago Fire në MLS, foli për “AS” rreth rivalitetit mes dy gjigantëve spanjollë. “Real Madridi është bërë më i fortë me përforcimet e reja dhe me Mourinhon, por unë gjithmonë do të jem në anën e Barcelonës”, deklaroi polaku. Lewandowski komentoi edhe ndryshimet në sulmin e katalanasve pas largimit të tij, rikthimit të Marcus Rashford te Manchester United dhe transferimit të Ferran Torres te PSG. “Barcelona di si të punojë dhe të luftojë deri në fund”, u shpreh ai.
Pavarësisht ndryshimeve, Lewandowski beson se Barcelona mbetet një nga pretendentet kryesore për Ligën e Kampionëve. “Liga e Kampionëve është një ëndërr për Barcelonën”, theksoi ai, duke vlerësuar edhe rritjen e lojtarëve të rinj të skuadrës. Sipas tij, katalanasit kanë tashmë më shumë eksperiencë dhe cilësi për të synuar trofeun. “Barcelona është një nga kandidatët për ta fituar, së bashku me dy ose tri skuadra të tjera”, shtoi sulmuesi.
Lewandowski foli gjithashtu për jetën e re në Shtetet e Bashkuara dhe përshtatjen me futbollin amerikan. Ai pranoi se kalimi nga Evropa në MLS ka qenë një ndryshim i madh, por familja e tij është e lumtur me aventurën e re. Polaku po punon gjithashtu për të rikuperuar formën fizike pas një periudhe me shumë ndeshje. Në fund, Lewandowski shpreson që Barcelona të luftojë për trofe dhe ta mbyllë sezonin me Ligën e Kampionëve në duar.

