Habia më e madhe ishte fitorja e Bostonit në fushën e Bruklinit në Nju Jork, madje me rezultat tepër të thellë 129-106 (+23). Gjithsesi Sëlltiksat po e tregojnë veten skuadër të fortë këtë sezon në NBA dhe duan të kthehen në lavdinë e dikurshme. Skuadrat e tjera të mëdha nuk zhgënjyen në rifillimin e sezonit pas Ndeshjes së Yjeve. Feniksi, ekipi më i mirë deri tani, fitoi 124-104 në fushën e Oklahomës falë Devin Bukerit (25 pikë, 5 topa në tabela, 12 asistë, 6 vjedhje topi), edhe pse mungoi Kris Poli i dëmtuar. Kjo ishte fitorja e 8-të radhazi. Edhe ekipi i dytë më i mirë, Golden Stejti, fitoi thellë, 132-95 në Portlend. Kërri dhe Tompsoni ishin më të mirët me nga 18 pikë, por nuk u lodhën aq shumë. Jokiç iu afrua tripëll dabëllit me 25 pikë, 12 topa në tabela e 9 asistë, plus 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, dhe Denveri fitoi në Sakramento 128-110.
Sfidanti.al