NBA si në kohët e vjetra, heronjtë janë Kërri e Lebron

Njëmbëdhjetë ndeshje jashtë për shkak dëmtimi janë shumë. Stefën Kërri duket si i lëshuar nga zinxhirët tani që është kthyer në parketet e NBA-së, dhe shpërthimi i tij i madh vazhdoi edhe në Los Anxhelos. Kampioni në fuqi ndihmoi Golden Stejtin të fitonte bindshëm derbin e Kalifornisë në fushën e Klipersave.

Në një ndeshje që e humbi barazpeshën që pas periodës së parë, Kërri shënoi 45 pikë në vetëm 29 minuta, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe vodhi 3 topa. Mungesa e Kevin Durantit nuk u ndje sërish, siç nuk u ndje në fitoren në fushën e Hjustonit (që nuk kishte Xhejms Hardenin), ndërsa Golden Steti ia doli me shifrat 121-105. Sipas traditës së Uorriorsëve, shumë lojtarë dhanë kontribut duke shënuar pikë, ndërsa Drejmond Grin realizoi 9 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë.

NBA duket si në kohët e vjetra, pra si dy sezone më parë, kur emrat që dominonin ishin Stefën Kërri e Lebron Xhejms. Pikërisht ky i fundit pati një (tjetër) mbrëmje të madhe në fushën e Orlandos, 131-127. Xhejms shënoi 33 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 9 asistë, vodhi 6 topa dhe bllokoi 1 gjuajtje. Ai ishte shumë pranë një tripëll dabëlli. Shumë mirë luajtën edhe Kevin Lov dhe Ajsajah Tomas, veçse Klivlendit thuajse i iku fitorja nga duart. Nga +20 në fund të periodës së tretë, rezultati u ngushtua shumë në fund.

Në renditje, Golden Stejti mbetet skuadra më e mirë e NBA-së, në krye të Konferencës Perëndimore me 32 fitore e 8 humbje, ndërsa Klivlendi është në vend të tretë në Lindje, me 26 fitore e 13 humbje.

Sfidanti.al