Janë zhvilluar ndeshjet e radhës së playoffit në kampionatin e NBA ku bie në sy fitorja e skuadrave vendase. Në TD Garden, Bostoni iu imponua Indiana Pejsërs duke e mundur me rezultatin 84-74. Ishte pikërisht Indiana ajo që e nisi sfidën më mirë teksa mbylli dy periodat e para me avantazhin 45-38, por në pjesën e dytë gjërat ndryshuan në mënyrë radikale me Seltiks që arriti të kthejë gjithcka në favorin e tij.
Portland dhe Oklahoma u bënë protagoniste të një ndeshjeje vërtet interesante dhe që u mbyll me fitoren e Treilblejzërs 104-99. Ata që morën përsipër të drejtojnë skuadrën e Portland që të fitojnë sfidën e zhvilluar në Moda Center ishin pikërisht Demien Lilard dhe CJ MekKolum që shënuan respektivisht 30 dhe 24 pikë. Te Oklahoma si gjithnjë spikati Rasëll Uestbruk, por loja e tij nuk i mjaftoi Thunder që të fitojë këtë ndeshje dhe tani është Portland që kryeson serinë e ndeshjeve 1-0.
Nuk zhgënjeu në sfidën e saj Miluoki, skuadra më e mirë e Ligës Amerikane të Basketbollit që mundi Detroit 121-86. Baks ishte dominues në parket kundrejt Pistons që duket se ndjeu mungesën e Blejk Grifin për shkak të një problemi në gju. Këtë e vërteton rezultati përfundimtar i sfidës që ka regjistruar një diferencë prej 35 pikësh. Janis Antetokunmpo edhe nuk u lodh shumë në këtë sfidë arriti të bëjë diferencën teksa e mbylli takimin me24 pikë dhe 17 topa në tabelë. Fitore të lehtë në sfidën e parë të playoffit shënoi edhe Hjustoni që mundi Jutah Xhaz me rezultatin 122-90.
sfidanti.al