NBA, për Bostonin pa përvojë vjen momenti kyç i finaleve!

Drejmond Grin nuk e ka zakon të bëjë shumë komplimenta, por as basketbollisti i Golden Stejtit nuk mundi të rrinte pa lavdëruar Xhejzën Tatëmin për paraqitjen e deritanishme. Rezultati i Finales së NBA-së është në ekuilibër 2-2, ndërsa pritet sonte ndeshja e pestë në San Francisko, dhe Grin ka të drejtë. Tatëm dhe yjet e tjerë të Bostonit janë në finalen e tyre të parë, ndërsa kundërshtarët e tyre të Golden Stejtit janë në të 6-ën! Kjo është një diferencë shumë e madhe, të cilën e ka ndjerë edhe Tatëm duke mos dhënë dot maksimumin e tij. “Do të reagoj në ndeshjen e pestë, – thotë ai, – ne nuk kemi marrë fund ende”. Edhe Stef Kërri i Uorriorsave ka besim kur thotë “kemi ende shumë energji brenda nesh, kemi mundësi të pashfrytëzuara”. Të shohim sesi do të shkojnë këto finale, nëse përvoja e Golden Stejtit do të mbizotërojë ndaj ambicies dhe energjisë së Bostonit!

Sfidanti.al