Me të vërtetë karriera në aspektin ekipor duket se po merr fund, apo është në rrënim të plotë që tani. Lebron Xhejmsi mund të jetë një yll i madh i basketbollit, i vetmi që mund të krahasohet me Majkëll Xhordanin si numri 1 i të gjitha kohe, por tani në moshën 37-vjeçare duket sikur po bën më shumë “monolog”, pra po flet me veten, sesa me shokët. Nuk ka sesi shpjegohet ndryshe fakti që Xhejmsi vazhdon të shënojë shumë, të jetë numri 1 i ekipit në statistika, por Lejkërsat vazhdojnë të humbasin. Kjo rrjedhë vazhdoi edhe në derbin ndaj Klipersave, humbur bindshëm 101-114, dhe me Lebronin që ishte shënuesi më i mirë në parket me 30 pikë, plus 8 topa në tabela, 5 asistë e 2 vjedhje topi, duke pasur vetëm 3 topa të humbur e 2 gabime personale. E gjitha kjo për 32 minuta! Entoni Dejvis pati 21 pikë e 9 topa në tabela dhe Uestbruk 14 pikë e 9 asistë për Lejkërsat, ndërsa Pol Xhorxh ishte më i miri për Klipersat me 29 pikë, 6 topa në tabela e 4 asistë, plus 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Xhejmsi është njëri nga shënuesit më të mirë të sezonit, por Lejkërsat janë në vendin e parafundit në Perëndim me 2 fitore e 9 humbje. Për më tepër, ylli kryesor u dëmtua dhe pritet përfundimi i vizitës mjekësore.
Sfidanti.al