Ishin sekondat e fundit të sfidës dhe “Mbreti i basketbollit” sapo i kishte dhënë epërsinë Lejkërsave me koshin e tij. Gjithsesi, as Lebron Xhejmsi nuk e kishte imagjinuar se përfundimi do të ishte humbje dhe se ai do të mundej nga një debutues. “Ruki” (Rookie) Endrju Nembhard shënoi një tripikësh pikërisht në kohën që u dëgjua sirena dhe nga distanca 8-9 metra për t’i dhënë Indianës fitoren 116-115 në Los Anxhelos. Lebroni ishte pranë tij dhe u përpoq ta pengonte, por nuk ia doli. Edhe pse vendasit ishin në 17 pikë epërsi, sërish nuk fituan dot dhe kjo disfatë djeg sepse i lë shumë poshtë në renditje, dhe sepse erdhi nga një ekip më i dobët në letër. “Unë isha i qetë sepse jam stërvitur për momente të tilla”, – tha Nembhard.
Sfidanti.al