NBA, Jokiç e Denver fitojnë në fushën e kryesuesit Toronto

Dihej që ishte një nga skuadrat më të mira, por nuk besohej shumë se kishte fuqinë të trondiste kryesuesit brenda në shtëpi. Denveri, megjithatë, ia doli që të fitonte në Arenën e Torontos, edhe pse vetëm me 3 pikë epërsi, 106-103, duke shkaktuar një nga të papriturat më të mëdha të sezonit.

Nikola Jokiç, “Mexhik Xhonsoni i bardhë”, ishte heroi me 23 pikë të shënuara, 11 topa në tabela e 15 asistë, pra me një tripëll dabëll, të cilin e pasuroi edhe me dy vjedhje topi. Spanjolli Huanço Hernangomes e ndihmoi me 15 pikë e 5 topa në tabela, dhe po ashtu amerikanët Marrej (21, 7, 8), apo Bejsli (15).

Leonard udhëhoqi kanadezët me 27 pikë të shënuara e 8 topa në tabela, ndërsa mirë luajtën edhe Siakam, Ibaka e disa të tjerë, por sërish nuk mjaftuan. Edhe pas kësaj humbjeje, Toronto mbetet skuadra më e mirë e sezonit në NBA, në krye të Konferencës Lindore me 20 fitore e 5 humbje. Denveri, ndërkaq, arriti fitoren e 6-të radhazi, dhe mbërriti Los Anxhelos Klipersin në krye të Konferencës Perëndimore me 16 fitore e 7 humbje.

Sfidanti.al