NBA, heroizmi i Bostonit në Majemi bën që Denveri të presë për rivalin!

Ishte vërtet një fund që të bënte me zemër. E tillë sekonda e fundit e ndeshjes së gjashtë finale të Konferencës Lindore në NBA, mes Majemit dhe Bostonit. Skuadra rekordmene e titujve në basketbollin amerikan, arriti një fitore dramatike 104-103 me një kosh në fraksionin e fundit të sekondës, ndërsa u desh teknologjia për të përcaktuar nëse pikët ishin të vlefshme apo jo. Ishte Derik Uajt që realizoi në aksionin përmbyllës në Arenën e Majemit. Kjo do të thotë se Sëlltiksat shmangën eliminimin, dhe se do të luhet ndeshja e shtatë e përcaktuese në Boston.

Mos vallë rekordmenët e titujve do të bëhen e para skuadër në historinë e NBA-së që kualifikohet pasi pësoi tri humbje radhazi? Kjo do të shihet natën mes të martës dhe të mërkurës sipas orës shqiptare. Xhejzën Tatëm ishte më i miri në parket me 31 pikë, me 12 topa në tabela, 5 asistë, 1 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh. Ai u ndihmua nga Braun me 26 pikë e 10 topa në tabela, Smart me 21 pikë, Uajt me 11 dhe Uilliams me 10. Xhimi Batler nuk luajti keq për Majemin me 24 pikë, 11 topa në tabela e 8 asistë dhe Martin shtoi 21 pikë, por skuadra nga Florina nuk e shfrytëzoi dot rastin e madh për të shkuar në finalen e NBA-së, ku e pret Denveri i Nikola Jokiçit.

Sfidanti.al