Sa shumë yje në parket në ditën e parë “të shkollës”. Basketbolli amerikan fillon me dy ndeshje të mëdha për të vazhduar një sezon të gjatë që do të kulmojë në verë me plej ofin për titull. Lejkërs-Klipers dhe Golden Stejt-Bruklin është “menuja” e parë. Lebron Xhejms dhe shokët e tij kampionë të NBA-së do të jenë përballë rivalëve të qytetit, në një derbi në Los Anxhelos. Në “Stejpëlls Sentër” përballë Lebronit dhe Entoni Dejvisit do të jenë Kauaj Leonard dhe Pol Xhorxh, në një sfidë ndaj kampionëve. Vjet, Klipersat u eleminuan para kohe, ndërsa pritej një finale me Lejkërsat, ndaj edhe shpresojnë që këtë herë të jetë ndryshe.
Shumë interesante edhe përballja Golden Stejt-Bruklin Nets. Kevin Durant kthehet në Gjirin e San Franciskos si kundërshtar përballë skuadrës me të cilën arriti 3 finale të NBA-së dhe fitoi 2 tituj. Që nga vera 2019 ai nuk ka luajtur për shkak të dëmtimit në tendinin e Akilit, por ndeshjet përgatitore treguan se e ka marrë veten. Bashkë me të do të jetë Kajri Irving, pra Bruklini mund të quhet skuadër për titull. Nuk dihet nëse do të mundet të jetë e tillë Golden Stejti, jo vetëm sepse Duranti është larguar, por edhe sepse Klej Tompsoni mungon i dëmtuar. Mbetet Stefën Kërri për të mbajtur ekipin mbi shpatulla, ndërsa Uorriorsët kanë edhe një lojtar të ri qendër, Xhejms Uajsmen (Wiseman), që është debutues, por që premton.
Sfidanti.al