NBA, Filadelfia vazhdon shkëlqimin, Harden dhe Embijd nuk kanë rivalë!

Në Los Anxhelos nuk ka qenë kurrë e lehtë për të fituar, por tashmë atje është bërë “autostradë”. Jo vetëm Lejkërsat, por edhe Klipersat janë “blozë” këtë sezon dhe jo më kot pësuan një disfatë të rëndë nga Filadelfia, 97-122. Natyrisht, Klipersat nuk kishin dy lojtarët kryesorë si Kaua Leonard dhe Pol Xhorxh, ndërsa në krahun tjetër ishin Xhejms Harden dhe Zhoel Embijd. Harden shënoi 29 pikë si dhe pati 15 topa në tabela, 7 asiste, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Embijd ishte krah tij me 27 pikë, 10 topa në tabela, 2 asistë, 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Plot 11 lojtarë të Filadelfias shënuan pikë në këtë ndeshje, ku spikasin Tajbul (Tybulle) me 13 pikë dhe Harris me 12. Në total, lojtarët e tjerë patën 66 pikë, një arsye e fortë për fitoren bindëse. Klipersat janë në “rënie të lirë” këtë sezon, ndërsa Filadelfia lufton për titull duke qenë në vend të dytë në Lindje, me të njëjtin rezultat si Majemi që kryeson dhe Miluoki kampion në fuqi.

Sfidanti.al