NBA: Adetokumbo shkëlqen, por Tatëm është dështim në Miluoki-Boston!

Ishte një duel i fortë dhe i ekuilibruar, pavarësisht se pritej që kampionët t’ia dilnin më lehtë. Vërtet Bostoni është një skuadër shumë në formë, një nga ekipet me përgatitjen më të lartë atletike në NBA, me karakter dhe talent, por Miluoki ishte në fushën e vet, përballë gati 20 000 tifozëve dhe kishte në formë Janis Adetokumbon, edhe pse mungonte sërish Kris Midëltoni. Për më tepër, ylli krysor i Sëlltiksave, Xhejzën Tatëm, ishte në një mbrëmje “jo”. Tatëm shënoi vetëm 10 pikë, me 4 gjuajtje të realizuara nga loja, e duke i humbur të 6 provat për tri pikë!

Nga ana tjetër, Adetokumbo shkëlqeu si pak herë në karrierë duke shënuar 42 pikë, kapur 12 topa në tabela e shërbyer 8 asistë. Ai vodhi 2 topa dhe bllokoi 2 gjuajtje. Holidei shënoi 25 pikë dhe Bruk Lopez shtoi 13 pikë e 10 topa në tabela, por që të gjithë lojtarët e tjerë të kampionëve bënë pak. Bostonin e mbajtën Al Horfordi me 22 pikë e 16 topa në tabela (6 asistë), ndërsa Xhejlën Braun realizoi 27 pikë dhe kapi 12 topa në tabela. Bostoni ishte edhe në avantazh në fund, por humbi 101-103 dhe Miluoki kryeson serinë e raundit të dytë në Lindje 2-1 me fitore.

Sfidanti.al