Nadal-Federer, të “premten e shenjtë” luhet dueli klasik në Paris!

Kishte 14 vjet që nuk ndodhte, por nuk thonë kot. Njerëzit takohen një ditë me njëri-tjetrin, jo malet, dhe ja ku ngjau që legjendat më të mëdha në historinë e tenisit, Rozher Federer e Rafael Nadal, do të ndeshen në gjysmëfinale të Grand Slemit të “Rolan Garosit”. Dy kampionët e mëdhenj u kualifikuan në mënyrë të ndryshme për në katërshe, dhe Federeri pati një duel tepër të fortë me patriotin e tij zviceran, Sten Vavrinka. Veterani 37-vjeçar ia doli 3-1 me sete, por rezultatet ishin të ngushta, 7-6, 4-6, 7-6 dhe 6-4.

Federer është rekordmen i fitoreve në Grand Slem, me 20 tituj ndaj 17 të Nadalit, por bilanci mes tyre është në favor të spanjollit, sidomos në dhé të ngjeshur, ku Rafa kryeson 13-2, madje është absolut në Paris, me bilancin 5-0.

“Nëse nuk do të kisha dashur të ndeshesha me Nadalin, atëherë nuk do të kisha luajtur në një fushë me dhé të ngjeshur, – tha zvicerani në formë sfiduese, – natyrisht, do të jetë shumë e vështirë sepse Rafa është i jashtëzakonshëm në këtë sipërfaqe. Mendoj se jam në formë shumë të mirë dhe mund t’ia dal”.

Nadal, ndërkaq, duket në nivele qiellore, siç u duk në fitoren e thellë ndaj Kei Nishikorit në çerekfinale. Shifrat ishin 3-0, dhe japonezi mori vetëm 5 lojra, në një ndeshje që zgjati fare pak. Tridhjetedyvjeçari ka 11 tituj në “Rolan Garos”, një rekord botëror, me shumë diferencë nga ndjekësi më i afërt Bjorn Borg që ka 6, madje edhe se kampioni i fillimit të shekullit të 20-të, Maks Dekyzhiz, që fitoi 8 tituj në epokën e vjetër.

“Jam shumë i lumtur, – tha Nadal, pas kualifikimit, – është e pabesueshme që jam sërish në gjysmëfinalen e Parisit. Ky turne është shumë i rëndësishëm për mua, është e mrekullueshme që jam sërish këtu. Ndaj Federerit nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi ai është një rival i madh, me shumë përvojë, dhe që nuk dorëzohet kurrë”.

Një duel Nadal-Federer është gjithnjë kryelajm për gazetat sportive. “L’Ekip” e Parisit vendos foton e madhe të dy legjendave dhe titullon: Të premten, shenjtorët! “AS” e Madridit po ashtu vendos fotot e kampionëve pranë e pranë, dhe shkruan: Do të ketë Klasike, Federer dhe Nadal do të ndeshen në “Rolan Garos” pas 14 vjetësh! Ja edhe një gazetë e Zvicrës, “Tribunë dë Zhenevë”: Federeri është gati që të mundë Nadalin!

Nadali jepet favorit për kualifikimin në finale, duke pasur edhe bilancin e përgjithshëm pozitiv ndaj Federerit, por kampioni zviceran ka fituar 5 ndeshjet e fundit mes tyre.

Sfidanti.al