I mungonin dy prej shokëve më të mirë, por ai luajti edhe për ta. Xhejms Harden pati ndeshjen e pestë radhazi me 40 pikë apo më shumë, duke siguruar një fitore dramatike, pas kohës shtesë, të Hjustonit në fushën e kampiones Golden Stejt.
Shënoi 44 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 15 asistë. Vodhi një top, bllokoi dy gjuajtje, por edhe e bllokuan tri herë ndërsa gjuante.
Hjustoni pati epërsi të lehtë në tabela, me 21 topat e kapur aty nga qendra Klint Kapela, që shënoi edhe 29 pikë. Golden Stejti ishte pak më mirë me asistet, pra në lojën si skuadër, po ashtu tentoi dhe realizoi më shumë gjuajtje, por dallimin e bëri diçka tjetër.
Hjustoni shënoi plot 21 gjuajtje për tri pikë ndaj 14 të vendasve, që do të thotë 21 pikë më shumë. Edhe vetë fitorja u arrit nga tripikëshi i Hardenit në sekondën e fundit.
Golden Stejti nuk është se luajti keq, por kuptohet që ka nevojë për një qendër më të mirë, dhe DeMarkus Kouzins nuk është kthyer ende nga dëmtimi. Transferimi i Mekgisë tek Lejkërsat ka lënë boshësi të madhe nën kosh, që nuk është plotësuar nga dikush tjetër.
Stefën Kërri dha një paraqitje shumë të mirë, me 35 pikë dhe 6 asistë, Kevin Durant ishte në “normalitet” me 26 pikë e 7 topa në tabela, por që të dy gabuan nga distanca. Drejmond Grini bëri detyrën me 9 pikë, 11 topa në tabela e 8 asistë, dhe Klej Tompsoni po ashtu nuk ishte keq me 26 pikë, 5 topa në tabela, 4 asistë, 3 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. E gjitha kjo nuk mjaftoi përballë klasit dhe vullnetit të Xhejms Hardenit.
Sfidanti.al