Mrekulli në basketbollin rus, Zeniti i Shën Peterburgut thyen hegjemoninë e CSKA-së së Moskës!

Është diçka që mund të krahasohet me ndonjë ngjarje tepër të rrallë, dhe tepër revolucionare. Njëlloj sikur të përmbyset qielli apo Toka. Kështu edhe në kampionatin e basketbollit të meshkujve të Rusisë, ku Zeniti i Shën Peterburgut u shpall kampion duke i marrë titullin CSKA-së së Moskës. Ky ishte titulli i parë për ekipin nga kryeqyteti i dytë rus, duke thyer hegjemoninë e skuadrës legjendare të Ushtrisë së Kuqe, dhe meritë të veçantë padyshim ka trajneri katalanas, Ksavi Paskual, që arriti një sukses të madh pas atyre që arriti me Barcelonën. Zeniti fitoi 81-75 ndeshjen e fundit në Moskë duke realizuar përmbysjen më të madhe në historinë e kampionatit rus të basketbollit, e duke arritur 4 suksese në Finalen e Madhe. CSKA-ja kryesoi 3-1 me fitore, por nuk ia doli.

Siç është traditë tashmë në basketbollin rus, por edhe në atë europian, 4 lojtarë të formacionit për ekipin nga Shën Peterburgi ishin të huaj, Mikej, Llojd, Karter dhe Bakner, dhe vetëm Sergej Karasiovi ishte rus. Mikej ishte shënuesi më i mirë me 19 pikë, ndjekur nga Llojd me 17. Skuadra moskovite, në të kundërt, pati mjaft lojtarë vendas si Antonov, Shved, Kurbanov, Uhov, Homento apo Kolesnikov. Më i miri ishte amerikani Uejr me 17 pikë ndaj 16 të Milutinovit. Në historinë e kampionateve ruse, CSKA e Moskës ka fituar që të gjithë kampionatet e zhvilluar pas shpërbërjes së BRSS-së, plot 31 dhe vetëm Himki i Moskës ia kishte prishur hegjemoninë. CSKA fitoi edhe 24 tituj në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Sfidanti.al