MotoGP, rishfaqet Viñales; Rossi e humb garën në xhiron e fundit

Maverick Viñales harron garën e Jerez dhe Austin dhe rikthehet te fitorja në Botërorin e MotoGP. Në Le Mans të Francës, piloti spanjoll i Yamahës fitoi një garë që rezultoi jo pak dramatike e për më tepër duke mposhtur shokun e tij të skuadrës Valentino Rossi.  Fillimi i garës ishte për Zarco që mori kryesimin,por vetëm pas  7 xhirosh francezi e pa veten të parakalohej nga Viñales. Talenti spanjoll vijoi të qëndrojë në vendin e parë deri në 3 xhiro nga fundi i garës kur Rossi e parakaloi. Por nuk ishte e thënë që 9 herë kampioni I botës të shënonte fitoren e parë sezonale.Në xhiron e fundit italiani u rrëzua duke braktisur përfundimisht garën për të parë më pas fitoren e Viñales. Në vendin e dytë u rendit Zarco për të cilin kjo ishte një paraqitje e shkëlqyer, ndërsa Pedrosa plotësoi podiumin. Humbës tjetër i madh i kësaj gare ishte Marc Marquez që ashtu sikurse Rossi u rrëzua duke braktisur garën, vetëm se spanjolli doli nga pista 10 xhiro nga fundi. Pas Çmimit të Madh të Francës, Maverick Viñales rikthehet në krye të klasifikimit të përgjithshëm për pilotë me 85 pikë, i ndjekur në vendin e dytë nga Pedrosa me 68, ndërsa Rossi zbret në vebndin e tretë me 62. Kampioni i botës, Marc Marquez është i 4-ti me 58 pikë.

sfidanti.al