Edhe me titullin të vendosur, sërish Moto GP dhuron spektakël. Në pistën australiane në Filip Ajlënd, pilotët e shkelën gazin deri në fund, ndonëse dikush u rrëzua dhe jo të gjithë u gëzuan. Më i lumturi, Valentino Rosi që vërtet nuk fitoi, por u ngjit nga vendi i 15-të në dytin. Pilotit të Jamahës ia dha një dorë edhe kampioni i ri i botës, Mark Markez, që u rrëzua ndërsa kryesonte me diferencë me rivalët. Spanjolli guxoi më shumë sesa duhet dhe më pas i kërkoi falje skuadrës për mendjelehtësinë e treguar.
Falenderoi dhe fitoi britaniku Kal Kraçlou, që arriti suksesin e dytë sezonal, i ndjekur pas nga Rosi. Italiani parakaloi ish-kampionin e botës Horge Lorencon, dhe patriotin e tij Doviciozon, por Kraçlou ishte tepër larg. “Ishte një garë shumë e bukur, – u shpreh Rosi, – kur ishte pistë e thatë kishim ritëm shumë të mirë, por Kal nuk mund të mbërrihej, ai u tregua shumë i zoti”. Valentino ia dhuroi podiumin pikërisht të ndjerit Marko Simonçeli, që humbi jetën në pistë 5 vjet më parë.
B. Kuka