Ministri i Sportit i Rusisë, Oleg Matytsin tha të mërkurën tha se Moska nuk duhet të bojkotojë Lojërat Olimpike “Paris 2024”, pavarësisht kufizimeve për atletët e saj pas ofensivës së Kremlinit në Ukrainë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) vitin e kaluar e pezulloi Rusinë nga olimpiada, por dha dritën jeshile për sportistët rusë që të konkurrojnë si neutralë për sa kohë që ata nuk e mbështesin aktivisht luftën ndaj Ukrainës. Rusia e kritikoi vendimin, por deri më tani kishte qenë e paqartë nëse do t’u rekomandonte atletëve të saj të shkonin në Paris gjithsesi.
“Ne nuk duhet të bojkotojmë këtë lëvizje sportive madhore. Duhet të ruajmë sa më shumë mundësinë e dialogut dhe të marrim pjesë në gara”. Pavarësisht kufizimeve, Matytsin nënvizoi se Lojërat Olimpike mbeten të rëndësishme për vendin. “Për shoqërinë tonë është shumë e rëndësishme të mbajmë dialogun dhe sportistëve tanë t’u japim mundësinë të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me të tjerët, për të treguar se ne jemi një vend i madh sportiv”. Sipas IOC deri tani vetëm tetë sportistë nga Rusia dhe tre nga Bjellorusia janë kualifikuar si neutralë, megjithëse ka spekulime në rritje se Rusia do të bojkotojë të gjithë ngjarjen. Por vendimin përfundimtar do ta japë presidenti Putin, nëse sportistët rusë do të jenë apo jo në Olimpiadë. Ndërkohë që kampionët rusë të sporteve të ndryshme vazhdojnë përgatitjet me përkushtim.
sfidanti.al