Mik Shumaher: Babai më ka thënë se rekordet janë bërë për t’u thyer!

Do të kishte dashur t’i kishte thyer ai vetë, por ndoshta do ta bëjë me të tjerë më vonë. Mik Shumaher sot është një nga “objektet” më të kërkuar nga gazetarët pasi Ljuis Hamilton ndodhet shumë pranë barazimit të rekordit të babait të tij, legjendës Mikael. Kampioni i botës fitoi provat zyrtare në Çmimin e Madh të Rusisë në Soçi, duke hedhur hapin e parë të madh drejt fitores së garës së kësaj të diele. Nëse ia del, ai do të ketë 91 triumfe në Formula 1 aq sa gjermani i famshëm.

“Një fjali që babai ma thoshte gjithnjë ishte se rekordet janë bërë për t’u thyer, – ishte komenti i Mikut për shanset e Hamiltonit, – edhe duke e parë nga aspekti familjar, suksesi i Ljuisit është i mirë sepse e çon sportin përpara. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm në Formula 1. Gjithsesi, synimi i ardhshëm duhet të jetë për mua, nëse arrij në F1 do të duhet ta thyej këtë rekord”. Piloti 21-vjeçar është pjesë e Ferrarit dhe është pranë fitores së titullit botëror në Formula 2. Babai i tij fitoi 7 tituj botërorë, një rekord tjetër që Hamilton mund ta barazojë këtë sezon.

Sfidanti.al