Miçëll & Co, brezi që po kthen Juta Xhazin në epokën e lavdishme Maloun-Stokton!

E kishin lënë mbrëmjen e 14 qershorit, kur legjenda Majkëll Xhordan u hoqi titullin në sekondat e fundit. Që pas asaj humbjeje, Juta Xhaz nuk ia kishte dalë kurrë të ngjitej në nivele të tilla për të pretenduar kulmin e basketbollit amerikan, siç ndodhi në epokën e superyjeve Xhon Stokton e Karl Maloun. Kanë kaluar 20 vjet e më shumë dhe ja ku e shohim sërish skuadrën nga Solt Lejkt Siti sërish mes pretendentëve.

Mbrëmjen e fundit në NBA, me suksesin 122-108 ndaj Boston Sëlltiksave, Juta arriti fitoren e pestë radhazi dhe barazoi rekordin e vendosur nga brezi i Stoktonit e Malounit me fillimin më të mirë të sezonit, me 20 fitore e 5 humbje. Donovan Miçëll ishte sërish më i miri me 36 pikë e 9 asistë, ndërsa shumë mirë u paraqitën Xho Ingles me 24 pikë e 6 asistë, Rudi Gober me 18 pikë e 12 topa në tabela dhe Bojan Bogdanoviç me 16 pikë e 8 topa në tabela.

Një provë shumë e fortë ndaj një rivali cilësor si Bostoni, për të cilin Xhejlën Braun shënoi 33 pikë dhe Xhejzën Tatëm shtoi 23. Skuadra e trajnerit Kuin Snajder po udhëheq me autoritet renditjen e deritanishme të sezonit të rregullt, madje duke e bërë këtë në Konferencën Perëndimore, ku ka lënë pas fuqi të tilla si Lejkërsat e Lebron Xhejmsit, Klipersat e Leonardit, Denverin e Jokiçit apo Golden Stejtin e San Antonion.

Nuk dihet nëse që skuadra arriti dy herë në finalet e NBA-së dhe fitoi 9 tituj në Divizion, do të ketë forcën psikologjike dhe potencialin për të realizuar atë që nuk e bënë dot Xhon Stoktoni e Karl Malouni, të fitojnë titullin e parë në histori.

Sfidanti.al