Memfisi nuk ndalet, 10 fitore radhazi duke mundur Golden Stejtin!

Energjia dhe dëshira bëjnë ligjin, sidomos kur ka harmoni. Kjo vlen edhe për ekipet e basketbollit amerikan dhe Memfis Grizlis po e tregon me momentin e shkëlqyer që ka. Dhjetë fitore radhazi, dhe e dhjeta në shtëpi ndaj Golden Stejtit 116-108. Një provë force dhe një shpalosje synimesh. Xha Morant shënoi 29 pikë me 5 topa në tabela e 8 asistë, Xhekson pati 13 pikë e 11 topa në tabela, po ashtu edhe shumë lojtarë të tjerë bënë mjaft. Stef Kërri pati 27 pikë për Uorriorsët, në një tripëll dabëll (10 asistë, 10 topa në tabela), ndërsa Tompson 14 pikë. Golden Stejti pati dy lojtarë të rëndësishëm jashtë, Drejmond Grinin dhe Xhejms Uajsmenin, e duke qenë se nuk ka një skuadër shumë “të gjerë”, kjo ndikon. Në fund të fundit, kapiteni Klej Tompson sapo është kthyer dhe nuk mund të luajë më shumë se 20 minuta. Golden Stejti mbetet i dyti në Perëndim, ndërsa Memfisi i katërti.

Sfidanti.al