“Mbinjerëzori” Lebron shpëton Klivlendin nga eleminimi

Jo një superyll i zakonshëm, por në formatin e tij “mbinjerëzor”, vetëm i tillë Lebron Xhejmsi mund të mjaftonte për Klivlendin, në ndeshjen për jetë a vdekje ndaj Bostonit. Numri 1 i botës iu përgjigj edhe një herë “thirrjes së detyrës” dhe Kavaliersët fituan 109-99, duke shmangur eleminimin, duke barazuar 3-3 finalen e Lindjes dhe duke i dhënë vetes shpresë për në ndeshjen vërtet përfundimtare, atë duke u gdhirë e hëna në Boston.

Lebroni shënoi 46 pikë në 46 minuta (vetëm 2 minuta në stol), kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë, po ashtu bëri edhe 3 vjedhje topi. Moshën 33-vjeçare të tij nuk harrojmë ta theksojmë sepse ajo e tregon më qartë se çfarë gjëje të jashtëzakonshme po bën ky njeri.

Frika ishte e madhe në Arenën e Klivlendit kur Xhejms u rrëzua përtokë i dëmtuar, kur kishin mbetur nja 8 minuta e gjysmë lojë, por për fat ai u ngrit dhe vazhdoi lojën. Sidoqoftë, shpesh mbante gjurin me dorë, pra e kishte një problem, ndërsa shokët e ekipit, tifozët e trajneri Lu shpresojnë që të mos e pengojë për ndeshjen e “larjes së hesapeve”.

Për fat të keq, ai mund të mos ketë në ndeshjen e 7-të, “shpatullën” e tij kryesore, Kevin Lovin që u dëmtua, pasi luajti vetëm 5 minuta. Do të duhet ndihma e fortë e shokëve që Xhejms të dalë gjallë nga Bostoni, pra Hill, Korver, Tompson, Smith apo Grin janë të paralajmëruar.

Boston Sëlltiks ndërkaq ka shpresë pasi në fushën e vet ka fituar gjithnjë, edhe ndaj Klivlendit, edhe ndaj çdo kundërshtari tjetër. Mungesa e Kajri Irvingut nuk ka qenë fatale deri tani, ndërsa problemi i vetëm është mungesa e përvojës që mund ta dëmtojë në një sfidë të një presioni maksimal si kjo.

Sfidanti.al