Magjia e Hamiltonit vazhdon, “pole position” në Singapor!

Nuk duhej të ishte pista e tij, pasi makina Mercedes nuk e pëlqen qerthullin në Gjirin Marina (Marina Bay). Një itinerar paksa i ngadalshëm për standardet e makinës gjermane dhe pilotit anglez, Ljuis Hamilton, por që nuk e pengoi “magjinë” të ndodhte përsëri. Kampioni i botës arriti një vend të parë të shkëlqyer në prova, me një diferencë të madhe me rivalet, dhe me kandidatin tjetër për titull, Sebastian Fetelin, vetëm në vendin e tretë.

Anglezi dha kohën 1’36”015, me Verstapenin e Red Bullit që ishte i dyti me 0.319 sekonda prapa tij, ndërsa Feteli ishte plot 0.687 sekonda me vonesë. Në vend të katërt doli Mercedesi tjetër i Valteri Botasit, si për të treguar se skuadra gjermane e ka marrë veten dhe duket më mirë sesa Ferrari. “Ishte si një magji, – pohoi vetë Hamiltoni pas gare, – as unë nuk e di sesi ia dola me atë xhiro. Ishte thuajse e përsosur, një nga xhirot më të mira të karrierës”.

Me xhiron e parafundit, ai arriti “pole positionin” e 79-të në jetën e tij sportive, duke thelluar rekordin botëror, e duke lënë gjithnjë e më prapa ish-rekordmenin, Mikael Shumaher që ka 68 fitore të tilla. Përsa i përket garave, Hamilton do të synojë të 69-ën në karrierë, ndërsa Shumaher mbetet rekordmen me 91.

Në Botërorin e këtij viti në Formula 1, anglezi kryeson me 30 pikë diferencë ndaj Fetelit, kur duhen edhe 7 gara deri në përfundim.

Sfidanti.al